Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka nisur sot vizitën zyrtare në Austri, përcjell albinfo.at.
Takimin e parë ministrja Hajdari e realizoi me ministrin Federal të Punës dhe Ekonomisë së Austrisë, z. Martin Kocher.
Temë diskutimi me ministrin Kocher ishte diskutimi i fushave të reja për bashkëpunim ekonomik, me theks të veçantë në inovacion dhe teknologji si dhe në fushën e turizmit.
Ministrja Hajdari njoftoi për treguesit ekonomikë dhe demokratikë në rritje, si dhe politikat dhe reformat në përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe investime.
Gjatë takimit ministrja Hajdari dhe ministri Kocher u pajtuan për organizimin e sesionit të gjashtë të Komitetit të Përbashkët Ekonomik Kosovë – Austri, i cili do të mbahet brenda gjysmës së parë të këtij viti.
Kosova dhe Austria kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale, ku Austria është një nga tri vendet e para me investime në vendin tonë.