Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të nisin këtë të hënë pasdite punën e tyre parlamentare me seancën për shqetësimet e qytetarëve.
Krahas kësaj, do të ketë edhe një aksion të opozitës për të mos e lejuar zhvillimin e seancës pa plotësimin e kërkesave të tyre për ngritjen e komisioneve hetimore dhe ndryshimin e përbërjes së komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.
19 deputetë të Partisë Demokrate nuk do të kenë mundësi të jenë pjesë e seancës plenare, pasi janë përjashtuar nga sekretariati i etikës.
Aksionin brenda sallës pritet të udhëheqë kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, të cilit i ka përfunduar masa ndëshkimore prej 10 ditësh jashtë Parlamentit.
Ndërkohë, jashtë sallës së seancës plenare, 30 minuta përpara fillimit të Parlamentit, në orën 16:30 deputetët e përjashtuar do të protestojnë. Lajmi u komunikua të shtunën në mbledhjen e Këshillit kombëtar të rithemelimit nga deputeti Flamur Noka./euronewsalbania