Themeluesi i platformës Albinfo.ch, njëherësh drejtor i Zyrës për integrim të qytetit të Lozanës, është zgjedhur në cilësinë e ekspertit në këtë komision ekstraparlamentar të planit të parë zviceran.
Këshilli Federal sapo ka rinovuar anëtarët e komisioneve të tij jashtëparlamentare për periudhën 2024-2027.
Delegati i integrimit për qytetin e Lozanës, Bashkim Iseni, është emëruar në Komisionin Federal të Migracionit (EKM-CFM).
Ai u propozua në këtë post nga Komiteti i Konferencës Zvicerane të Delegatëve të Integrimit, ku ai përfaqëson qytetin e Lozanës. Qyteti i Lozanës është i gëzuar me këtë emërim, njofton zyra për komunikim e këtij qyteti.
Në fakt, Lozana, si qytetet e tjera zvicerane, është në vijën e parë në pritjen e migrantëve. Ky emërim do të kontribuojë në diskutimet në nivel kombëtar, duke ndarë përvojën dhe sfidat me të cilat përballet qyteti në fushat e integrimit dhe migracionit.
Komisioni Federal i Migracionit (Eidgenössische Migrationskommission EKM) përbëhet nga 30 ekspertë në fushën e migracionit, të emëruar nga Këshilli Federal.
Mandati i tij është të fokusohet në çështjet sociale, ekonomike, kulturore, politike, demografike dhe ligjore që lindin në Zvicër në lidhje me lëvizjet ndërkombëtare migratore. Temat e mbuluara variojnë nga mbrojtja e refugjatëve dhe migrimi për motive punësimi te çështjet transnacionale dhe kohezioni social.
Përndryshe, Bashkim Iseni është po ashtu anëtar i Komitetit të Konferencës zvicerant të delegatëeve të integrimit si dhe anëtar i Komitetit ekzekutiv të koalicionit të qyteteve evropjane kundër racizmit (ECCAR).