Rastet me Covid-19 janë sërish në rritje. Nga pikëpamja e mbrojtjes kolektive imune, sipas Presidentit të Komisionit Federal për Vaksinimet, Christophe Berger, vala aktuale është deri diku e mirëpritur.
Sipas tij, ringjallja aktuale është nën kontroll, teksa ka theksuar se kjo valë është në një farë mënyre pjesë e konceptit të politikës aktuale të imunizimit. Qëllimi i kësaj është shmangia e rasteve serioze dhe fatale të lidhura me koronavirusin, shkruan RTS.
Prandaj, këtë dimër, vaksinimi rekomandohet vetëm për njerëzit në rrezik të infeksionit të rëndë, domethënë personat e moshës 65 vjeç e lart, ose që vuajnë nga disa sëmundje kronike.
Strategji e re përballë Covid-19
Për pjesën tjetër të popullsisë nuk rekomandohet vaksinimi. Ajo ofron vetëm mbrojtje të dobët dhe afatshkurtër kundër formave të lehta, shpjegon Zyra Federale e Shëndetit Publik në faqen e saj të internetit, përcjell albinfo.ch.
Sipas ekspertëve, të cituar nga shtypi gjermanishtfolës, për shkak të kontaminimeve ose vaksinimeve të mëparshme, gati 98% e popullsisë tashmë ka antitrupa.
Sipas Christophe Berger, është e rëndësishme që ky imunitet bazë të vazhdojë, jo më falë vaksinimit, por kontaminimit.