Bashkëshorti i viktimës L.M., i dyshuari Naim Murseli, e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e gruas te i dyshuari G.P.
Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.
Dy të dyshuarit për vrasjen e ndodhur të mërkurën, i cili rast fillimisht u cilësua si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, përcjell albinfo.ch.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, prokurorja Besa Limani, e cila tha se pas intervistimit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më herët njoftoi se janë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, ku u arrestuan të dyshuarit, si është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur për kryerjen e veprës penale.
Burimet e KOHËS bëjnë të ditur se i dyshuari G.P., e ka pranuar para prokurores se është Murseli ai që e ka paguar ta kryejë vrasjen.
KOHA është interesuar të marrë vesh se nga kush përfaqësohet Murseli në prokurori e polici. Deri tash, s’ka marrë informacion.