Me barazimin e djeshëm 1:1 ndaj Moldavisë, Kombëtarja shqiptare ka siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Futbollistët e Kombëtares kanë udhëtuar menjëherë pas ndeshjes, teksa kanë mbërritur në Tiranë pas mesnatës dhe stafi teknik ka vendosur që kuqezinjtë të nisin menjëherë përgatitjet për takimin e të hënës ndaj Ishujve Faroe, e fundit në këtë edicion kualifikues, ku do të kërkohet fitorja për të siguruar vendin e parë në Grupin E.
Federata shqiptare e Futbollit ka njoftuar se gjatë paradites së sotme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit’’ Kombëtarja zhvilloi seancën stërvitore në kuadër të ndeshjes ndaj Ishujve Faroe, përcjell albinfo.ch.
“Në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm të gjithë lojtarët. Futbollistët e aktivizuar si titullarë në sfidën ndaj Moldavisë u stërvitën vetëm në palestër, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve, pas punës në palestër, dolën në fushë dhe u stërvitën rregullisht nën urdhrat e trajnerit Sylvinho. Ekipi gëzon formë të mirë dhe nuk ka asnjë problem fizik”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, ndeshja Shqipëri – Ishujt Faroe do të luhet në stadiumin “Air Albania” më 20 nëntor, duke nisur nga ora 20:45.