Dy djem nga diaspora shqiptare, të cilët luftuan përkrah ushtrisë së Ukrainës, raportohet se kanë rënë në luftë. Lajmi vjen nga deputeti socialist, Pandeli Majko, i cili lajmin e bazon duke cituar konsullin e Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin.
Në luftën kundër Rusisë kanë rënë Dermentli Anatoly, nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës).
Ai kishte lindur më 3 shtator 1980 dhe ishte mobilizuar në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias. 43-vjeçari ka humbur jetën më 15 tetor, në një mision luftimi.
Kurse, Haydarzhy Danylo u lind në një familje shqiptare më 26 janar 2002, në fshatin Georgivka (rajoni i Zaporozhias).
Ai ishte fëmija i dytë në familjen e tij, cila aktualisht, jeton ende në zonën e okupuar nga trupat ruse. Kur filloi lufta, ai ishte në Poloni. Në verën e 2022 ai shkoi vullnetarisht për t’u mobilizuar, por u refuzua për shkak të moshës.
Siç bëhet e ditur, në vitin 2023 pas ditëlindjes së 21-të ai aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Danylo shërbeu në njësinë ushtarake A290 dhe dha jetën në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit.
Ceremonitë funerale të dy djemve shqiptarë janë zhvilluar ditën e djeshme në qytetin e Zaporozhias. Në ceremoninë e varrimit pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar.
