Raportohet se numër i madh i gjermanëve janë të pakënaqur me politikën e migracionit të qeverisë aktuale, treguan rezultatet e sondazhit të fundit “Trendi Gjerman” të Televizionit Publik Gjerman ARD, përcjell albinfo.ch.
Referuar një sondazhi, pothuajse dy të tretat e qytetarëve dëshirojnë që Gjermania të pranojë më pak refugjatë. Në përgjithësi, në vend është rritur shumë skepticizmi ndaj emigrantëve.
Thuhet se 64 për qind e njerëzve, pra dukshëm më shumë se në pranverën e këtij viti, e lidhin tani migrimin me probleme në Gjermani, ndërsa vetëm 27 për qind e shohin emigracionin si një avantazh për vendin.
Rreth tetë nga dhjetë gjermanë besojnë se rritja e kontrolleve kufitare dhe marrëveshjet për refugjatët me vendet afrikane janë masat e duhura. Pasi kryetari i CSU-së bavareze Markus Söder bëri thirrje për të ashtuquajturin “Limit i integrimit” lidhur me numrin e azilkërkuesve, në Gjermani ka rinisur debati për kufirin e sipërm për pranimin e refugjatëve.
Kritikët theksojnë se sipas ligjit ndërkombëtar, një kufi i sipërm nuk mund të përcaktohet, por 71 për qind e gjermanëve besojnë se përcaktimi i një kufiri të tillë do të ishte vendim i duhur.