Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për New York, ku pritet të zhvillojë takime me liderë botërorë dhe organizata ndërkombëtare, në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Sipas njoftimit nga Zyra e Presidencës, Osmani është ftuar të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë, Jill Biden.
“Përgjatë kësaj vizite, Presidentja në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ajo po ashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.
Në agjendë, do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë.