Xherdan Shaqiri do të luajë në ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian kundër Kosovës dhe në prag të kësaj, është shprehur se do të jetë një lojë shumë e veçantë për të.
“Unë kam lindur në këtë vend dhe kam shumë anëtarë të familjes atje. Të dy prindërit e mi kanë nëntë vëllezër e motra. Mund ta imagjinoni sa kushërinj kam. Më duhej të organizoja mbi 50 bileta”, ka thënë ai për 20min.ch, shkruan albinfo.ch.
I pyetur nëse do të festonte në rast se shënon, ai tha se ka marrë shumë mesazhe që i thonë të mos shënojë gol, ndërsa u shpreh se është sportist dhe do të japë gjithçka për Zvicrën.
“Por, nuk do të festoj nëse shënoj gol për respekt për Kosovën – këtë duhet ta bëjnë bashkëlojtarët e mi”, tha ai.
Ndërkaq kur u pyet se si i vlerëson paraqitjet kualifikuese të Kosovës deri më tani, pasi nuk pati asnjë fitore në katër ndeshjet e para, ai tha se u befasua shumë nga rezultati.
“Nuk i prisja rezultatet veçanërisht në ndeshjet në shtëpi. Nëse shikoni cilësinë e ekipit, kjo nuk ishte e mjaftueshme. Ata mund dhe duhet të kenë ambicie më të mëdha me këta lojtarë. Por kam besim se do të paraqiten ndryshe me një trajner të ri”, ka thënë ai.