Sipas INSTAT, në muajin korrik të këtij viti në Shqipëri kanë hyrë 2.536.841 shqiptarë dhe të huaj.
Ky tregues rezulton me një rritje 26,1 %, krahasuar me korrik 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit korrik 2023 janë 2.150.748, duke shënuar një rritje me 15,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 766.117. Ky numër është rritur me 26,1 %, krahasuar me korrik 2022. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.770.724. Ky numër është rritur me 26,2 %, krahasuar me korrik 2022, shkruan Top Channel.
Ndërkohë në gjashtë muajt e parë të vitit në territorin shqiptar kanë hyrë 5.167.656 persona, ky numër është rritur me 30,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit korrik 2023 janë 710.711, përcjell albinfo.ch.
Krahasuar me korrik 2022, ky tregues është rritur me 27,8 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit korrik 2023, janë 1.440.037. Krahasuar me korrik 2022, ky tregues është rritur me 9,6 %.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatëmujorit 2023 është 3.734.813, duke u rritur me 21,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1.694.657 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Lindja e Mesme, përkatësisht me 45.821 dhe 14.805 shtetas.
Në korrik 2023 krahasuar me korrik 2022 hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur: për qëllime personale me 26,0 %; për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 22,8 %; për biznes dhe qëllime profesionale me 63,3 %, shkruan Top Channel.