Mes shqetësimeve për korrupsionin, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar sot shkarkimin e krerëve të të gjitha qendrave rajonale të rekrutimit ushtarak të vendit, shkruan albinfo.ch.
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se presidenti ukrainas deklaroi që një rishikim i qendrave të rekrutimit të Ukrainës zbuloi shenja të abuzimit profesional, duke filluar nga pasurimi i paligjshëm, deri te transportimi i burrave të kualifikuar për rekrutim përtej kufirit, pavarësisht një ndalimi gjatë luftës.
“Ky sistem duhet të drejtohet nga njerëz që e dinë saktësisht se çfarë është lufta dhe pse ryshfeti gjatë luftës është tradhti”, është shprehur Zelensky.
Kievi e ka bërë goditjen e ryshfetit një prioritet kyç, pasi kjo do të ndihmonte në ndalimin e pushtimit nga Rusia dhe është gjë që kërkohet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Presdienti Zelensky ndër të tjera ka thënë se gjenerali i lartë, Valery Zaluzhny, do të jetë përgjegjës për zbatimin e vendimit dhe se kandidatët e rinj për postet do të verifikohen fillimisht nga shërbimi i sigurisë së brendshme të Ukrainës, SBU.