Zvicra ka tërhequr personelin e saj nga zyra e koordinimit në Niger.
Tre anëtarë të stafit dhe një person shoqërues u tërhoqën nga ky vend afrikan me arsyen se gjendja e sigurisë atje po bëhet gjithnjë e më e vështirë, raporton swissinfo, përcjell albinfo.ch.
Ministria e Jashtme e Zvicrës, shprehu shqetësimin e saj për zhvillimet në Niger dhe dënoi marrjen e kontrollit nga forcat e armatosura. Përmes një deklarate për agjencinë zvicerane të lajmeve “Keystone-SDA”, autoritetet kanë thënë se vendimi për tërheqjen e stafit u mor në dritën e “zhvillimeve shqetësuese”.
Që nga dita e enjte, 19 shtetas zviceranë ishin larguar nga Nigeri ndërsa Ministria e Jashtme tha se mbetet në kontakt me shtetasit e mbetur zviceranë në Niger.
Vendimi vjen pasi junta ushtarake mbylli hapësirën ajrore mbi vend, duke përmendur kërcënimin e ndërhyrjes ushtarake nga Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore.
Zëdhënësi i juntës në televizionin kombëtar të vendit, mbrëmjen e së dieles tha se çdo përpjekje për të shkelur hapësirën ajrore do të përgjigjet menjëherë dhe me forcë.
Ministria e Jashtme tha se stafi zviceran do të kthehej në Niger sapo të jetë mundësia dhe se Zvicra vazhdon të mbështesë popullatën atje.