Shqipëria vazhdon të kryesojë listat e vendeve të preferuara të turistëve për të kaluar pushimet. Së fundmi Organizata Botërore e Turizmit në raportin për tre muajt e parë të këtij viti e rendit Shqipërinë të tretën në botë dhe në vend të parë në Evropë sa i takon rritjes turistike, transmeton albinfo.ch.
Këtij lajmi i është gëzuar kryeministri shqiptar Edi Rama i cili në Facebook ka ndarë radhitjen e Shqipërisë.
“Rritja e pandalshme e turistëve që po e zgjedhin vendin tonë jo veç për sezonin veror buzë detit, por tanimë përgjatë gjithë vitit, nga Tirana e gjithandej, prej veriut në jug, konfirmohet edhe me një të dhënë spektakolare të Organizatës Botërore të Turizmit, e cila për tre muajt e parë të këtij viti e rendit Shqipërinë të tretën në botë dhe në VEND TË PARË në Europë sa i takon rritjes turistike krahasuar me periudhën përpara pandemisë, duke paralajmëruar kështu edhe një sezon fantastik veror”, ka shkruar Rama.