Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka përshëndetur vendimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, ambasadori gjerman thotë se ky votim e sjell vendin më pranë familjes evropiane.
“Pas vendimit të javës së kaluar për vizat, votimi i sotëm i KE-së për kalimin e aplikimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare e sjell vendin sërish më afër familjes evropiane. Gjermania dha mbështetje të plotë në këtë hap. Urimet e mia për të gjithë kosovarët! Vazhdimi i zbatimit të Ohrit, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është vendimtar për të ecur përpara”, ka shkruar Rohde në Tweet.