Çmimi për një ton miell ka rënë për 30 për qind nga 550 euro sa ishte tonelata tani është 420 euro. Megjithatë, rënie nuk ka pësuar edhe çmimi i bukës. Buka aktualisht në furrat e Kosovës kushton 0.50 euro, por ky çmim nuk do të jetë për shumë kohë, pasi që çmimi i saj pritet të ngritët së shpejti edhe më shumë.
Shtrenjtimi i bukës pritet të ndodhë pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila rriti çmimin e energjisë elektrike në masë prej 15.4 për qind nga 1 prilli.
Për rritjen e tarifave të rrymës, kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu, thotë se do të ketë një ndikim negativ te furrtarët, ngase sipas tij, kjo ndikon në koston e përpunimit dhe sjell efekte negative.
Ndërsa, Zjenullahu shton se pas zbritjes së çmimit të miellit, duhet të reflektojnë çmimet edhe në rënien e çmimit të bukës.
“Produktet e grurit kanë pësuar rënie kohëve te fundit, rënie e cila ka reflektuar edhe në çmimin e miellit – çmimi aktual nga 420 euro deri 460 euro – për tonelatë, ndërsa vendi ynë ka një qëndrueshmëri të sasive të grurit. Nuk mendoj që do rritet, përkundrazi presim një rënie te çmimit të bukës, duke pasur parasysh çmimin e miellit, i cili ka pësuar rënie prej afro 30%, ky çmim duhet te reflektojë edhe në rënie të çmimit të bukës”, është përgjigjur Zejnullahu.