Mediat gjermane raportojnë se tetë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri brenda një objekti të përdorur si kishë nga Dëshmitarët e Jehovait, në qytetin verior gjerman të Hamburgut, të enjten në mbrëmje, ka konfirmuar Policia e Gjermanisë, përcjell albinfo.ch.
Policia e Hamburgut tha gjatë natës se beson se ishte vetëm një sulmues dhe se besohet se ai ishte në mesin e të vdekurve.
Ata bënë të ditur se pasi oficerët arritën dhe gjetën njerëz me plagë të dukshme me armë zjarri në katin e parë, ata dëgjuan një të shtënë në katin e sipërm dhe gjetën një person të plagosur rëndë aty, për të cilin dyshohet se mund të ketë qenë sulmuesi.
Zyrtarët e sigurisë së Hamburgut thanë se do të ketë një konferencë shtypi të premten pasdite për të diskutuar detajet. Zëdhënësi tha se policia u njoftua për të shtënat rreth orës 21:15 të enjten, dhe kanë dalë me shpejtësi në vendngjarje.
Kryetari i Bashkisë së Hamburgut, Peter Tschentscher, shkroi në Twitter se lajmi ishte “tronditës” dhe shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimave.
Dëshmitarët e Jehovait janë pjesë e një kishe ndërkombëtare, e themeluar në Shtetet e Bashkuara në shekullin e 19-të dhe me seli në Uaruik të Nju-Jorkut. Kisha pretendon se ka një anëtarësim prej rreth 8.7 milionë besimtarëve në mbarë botën, me rreth 170,000 në Gjermani.
Anëtarët janë të njohur për përpjekjet e tyre për të shpërndarë besimin e tyre përmes trokitjeve në dyer dhe shpërndarjes së literaturës në sheshet publike.
Praktikat e veçanta të këtij besimi përfshijnë refuzimin për të mbajtur armë, për të marrë transfuzion gjaku, për t’iu përulur flamujve kombëtarë ose për të marrë pjesë në qeverisjet laike.