Kompanitë ushqimore shumëkombëshe, duke përfshirë Nestlé, kanë përdorur luftën në Ukrainë dhe pandeminë Covid si pretekst për çmime më të larta të ushqimeve, pretendon një raport i Greenpeace. Kompania zvicerane e mohon akuzën, përcjell albinfo.ch
“Midis 2020 dhe 2021, të ardhurat neto të Nestlé u rritën nga 12,2 miliardë CHF në 17,4 miliardë CHF, ndërkohë që ne po vuanim fuqinë e plotë të krizës Covid,” tha Davi Martins, aktivisti i Greenpeace International, të mërkurën për mediat lokale.
“Moralisht, kjo ngre pikëpyetje,” shtoi ai.
Nestlé është e vetmja kompani zvicerane midis 20 kompanive ushqimore të studiuara në raportin e porositur nga Greenpeace dhe të publikuar të martën.
Sipas Greenpeace, rritja e çmimeve të ushqimeve u shoqërua me një rritje të të ardhurave të shumëkombësheve dhe dividentëve që u paguanin aksionerëve të tyre.
Duke iu përgjigjur akuzave, Nestlé pohoi se “si shumë të tjerë”, ajo ka pësuar “peshën e inflacionit ekstrem të kostos” gjatë dy viteve të fundit. Ajo gjithashtu deklaroi se është e detyruar të respektojë detyrimet e saj ndaj aksionarëve të saj, përcjell tutje albinfo.ch