Policia e kantonit Nidwalden ka ndaluar një autobus të huaj udhëtarësh me gjithsej tre shoferë dhe nëntë pasagjerë.
Kjo ka ndodhur në autostradën A2, pranë lokalitetit Stans, të premten në mëngjes rreth orës 07:50, transmeton albinfo.ch. Autobusi po udhëtonte nga Shqipëria për në Belgjikë.
Nga kontrollet rezultoi se brenda autobusit kishte sasi të mëdha produktesh mishi.
Pas hetimeve të mëtejshme, rezultoi se ky transport tregtar pasagjerësh ishte kryer disa herë nga të njëjtët tre drejtues mjetesh, shkruan luzernerzeitung.ch. Gjatë udhëtimeve të gjata bëheshin vetëm ndalesa të shkurtra, në mënyrë që pasagjerët të mund të hipnin dhe të zbrisnin dhe të bëhej ndërrimi i shoferit.
Të tre drejtuesit e automjetit nuk kanë respektuar disa dispozita në përbërje të urdhëresës së punës sa i përket kohës së pushimit, përcjell albinfo.ch. Pas pagesës së gjobave dhe zhdoganimit të duhur për produktet e mishit të bartura me vete, si dhe pagesës së një depozite në shumë pesëshifrore, tre drejtuesit e mjeteve u detyruan të pushonin.
Nëntë pasagjerët vazhduan udhëtimin e tyre me transport publik.