Përtej retorikës si burrështetas, jashtë Pallatit Mariinsky, të dy udhëheqësit, Biden dhe Zelenskyy, ndanë një moment të shkurtër bisede gjatë vizitës së sotme, shkruan Sky News.
“Faleminderit që erdhët”, i tha Volodymyr Zelenskyy teksa i shtrëngoi dorën Presidentit amerikan.
“Më e rëndësishmja, si janë fëmijët?” pyeti Biden, teksa shtoi: “Është e mahnitshme të të shoh ty.”
Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, e pyeti se si është Jill Biden, zonja e parë e SHBA-së, për të cilën Biden u përgjigj: “Ajo po ia del mirë”.
Pas bisedës së shkurtër, Biden zbuloi se ishte vizita e tij e tetë në Kiev, duke thënë se çdo herë ka qenë më domethënëse.
Ai shtoi se qëllimi i vizitës së tij ishte t’i përcillte Zelenskit se SHBA-ja është “këtu për të qëndruar”.
“Ne nuk do të largohemi”, tha zoti Biden.
Më pas ai u shoqërua brenda pallatit, ku u takua me zyrtarë të tjerë ukrainas, përfshirë kryeministrin Denys Shmyhal.
Në përgatitje për ardhjen e tij, disa rrugë në kryeqytet u mbyllën dhe u vendos një kordon.
Të paktën dy aeroplanë mbikëqyrës të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara u vunë re duke fluturuar gjithashtu pranë kufirit Poloni-Ukrainë.
“Rusia u njoftua për vizitën e zotit Biden vetëm disa orë përpara se ai të nisej në Ukrainë”, deklaroi këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.