Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e Britanisë në Shqipëri u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë që të mos provojnë rrugët e paligjshme përmes detit për të shkuar në Britaninë e Madhe.
Ambasada thekson, mes tjerash, se deti është i rrezikshëm dhe mund të humbin jetën.
“Duke u përpjekur për t’u larguar nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar, mund të humbësh edhe jetën nga kushtet e rrezikshme të motit. Deti është i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm, mos e kalo në mënyrë të paligjshme”, thuhet në thirrjen e ambasadës, përcjell albinfo.ch.
Kjo thirrje vjen pas shqetësimeve që ka ngritur Britania e Madhe për shtimin e emigrantëve të paligjshëm, derisa ky vend është bërë destinacion i preferuar i të rinjve shqiptarë.