Joe Biden gaboi kur shpalli të përfunduar pandeminë e koronavirusit në SHBA, ka thënë për Guardian një nga ekspertët kryesorë të vendit për virusin.
Dr. Peter Hotez, bashkëdrejtor i Qendrës për Zhvillimin e Vaksinave në spitalin e Fëmijëve në Teksas dhe dekan i Shkollës Kombëtare të Mjekësisë Tropikale në Kolegjin e Mjekësisë Baylor, tha se deklarata e presidentit amerikan në shtator se “pandemia ka mbaruar” ishte gabim dhe një mesazh i dobët për t’i dërguar publikut amerikan.
“Epo, sigurisht që nuk ka mbaruar”, tha Hotez në një intervistë me Guardian. “Ne jemi ende me 200-300 vdekje në ditë. [Covid-19] është ende shkaku i tretë ose i katërt kryesor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara. Është pa dyshim mesazhi i gabuar për të dhënë, duke pasur parasysh faktin se ne po përpiqemi dëshpërimisht të bindim popullin amerikan që të marrë këtë përforcues [bivalent]”.
Hotez tha se marrja e vaksinës përforcuese bivalente është një nga gjërat më të rëndësishme që njerëzit mund të bëjnë për të mbrojtur veten kundër Covid. Sipas Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve, deri më tani, vetëm 14.1% e popullsisë totale të SHBA-së mbi moshën pesë vjeç ka marrë vaksinën përforcuese bivalente, përcjell albinfo.ch.