Papunësia në Shqipëri ka rënë në nivelin më të ulët në 32 vjet. Ky konstatim del referuar shifrave zyrtare. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në 3-mujorin korrik- shtator, vetëm 10.6 për qind e shqiptarëve mbi 15 vjeç nuk morën një rrogë nga mbi 12 për qind në po të njëjtin hark kohor të 2018-s.
Në rekordin historik të më shumë se tre dekadave tranzicioni, ndikim në shtimin e vendeve të punës e kanë pasur bujqësia dhe turizmi, sektorë ku në krahasim me tremujorin e tretë të një viti më parë, punësimi është rritur respektivisht me 6.5 dhe 4.7 për qind. Ndërsa në rënie paraqiten shifrat tek industria e prodhimit.
Mungojnë profesionistët
Por, pavarësisht shtimit të një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve në forcat e punës, tregu sot shfaq ende shumë etje për krah pune dhe veçanërisht në profesione, apo siç njihen ndryshe: zeje, shkruan a2, përcjell albinfo.ch.
Dhe, që edhe të tjera zanate të mos humbin një herë e përgjithmonë, nevojitet ndërhyrje nga institucionet, thotë përfaqësuesi i zejtarëve.
Referuar të dhënave nga INSTAT, te grupmosha 15 deri në 29 vjeç niveli i papunësisë është sa 2-fishi i asaj te popullata e përgjithshme me 20.5 për qind, duke u rritur krahasuar me një vit më parë.