Në rast të mungesës, familjeve dhe bizneseve që ngrohen me gaz do t’u kërkohet të ulin temperaturat në 20 gradë Celsius, ka thënë qeveria, transmeton albinfo.ch.
Plani i emergjencës, i rënë dakord nga ministrat, është një version pak i modifikuar i një plani me katër faza të shpallur në gusht, i cili që atëherë ka kaluar përmes një procesi konsultimi që përfshin autoritetet kantonale, bizneset dhe palët e tjera të interesuara.
Në planin fillestar, kufiri i temperaturës ishte planifikuar në 19°C dhe kontributi që do të jepnin familjet private ishte më pak i theksuar.
Qeveria tha të mërkurën se pa kontributin e familjeve, të cilat përbëjnë rreth 40% të gazit të përdorur në vend, reduktimi i ndjeshëm i përdorimit nuk do të ishte i mundur. Për sa i përket rritjes së temperaturës maksimale nga 19°C në 20°C, kjo bazohej në premisën se 20°C ishte një numër më i lehtë për t’u matur dhe vendosur.
Dështimi për të respektuar kufirin do të ndëshkohej, por autoritetet janë ende duke eksploruar opsionet se si do të funksiononte kjo. Ministri i Ekonomisë, Guy Parmelin, tha të mërkurën se qëllimi ishte të shmangej shndërrimi në një “shtet policor” dhe se në rast të këtij skenari do të vihej mbi përgjegjësinë e qytetarëve, transmeton tutje albinfo.ch.