Zyrtarë të Polonisë të mërkurën kanë thënë se raketa që ra në territorin e tyre dhe vrau dy persona është prodhuar nga Rusia, ndonëse presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se është e “vështirë” të thuhet që raketa të jetë lëshuar nga Rusia, përcjell albinfo.ch.
Shpërthimi, të cilin presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi si “një përshkallëzim shumë të rëndësishëm”, bëri që presidenti Biden të thërrasë një takim urgjent të G-7-s dhe udhëheqësve të NATO-s.
Siç raporton AP-ja, një sulm i qëllimshëm armiqësor ndaj Polonisë që është anëtare e NATO-s, mund të shkaktojë një reagim kolektiv ushtarak nga aleanca.
Shpërthimi shkaktoi konfuzion, pasi në të njëjtën kohë pati një seri të sulmeve ajrore pranë kufirit Ukrainë-Poloni.
Rusia ka mohuar çdo përfshirje në shpërthimin në Poloni.