Skip to content

Një libër me vlera të veçanta për autizmin

“Gjatë punës me fëmijët autistë, autorja ndjen, përjeton dhe emocionohet bashkë me ta… Ajo ndaj fëmijëve shpreh jo vetëm vëmendje e përkujdesje të skajshme, por shpreh edhe dashuri e shqetësim, dhembje e trishtim”

Në ambientet e ambasadës së Republikës së Kosovës, të shtunën, më 12 nëntor, këshilli kantonal i LAPSH-së në Bernë  bëri  përurimin e librit “365 ditë autiste”, të mësueses dhe pedagoges Mirela Duka-Xoxi.

Përurimi i librit të parë të koleges sonë, mësuese shumëvjeçare në mësimin plotësues, u bë në një atmosferë shumë të ngrohtë dhe  miqësore.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, zoti Sami Ukelli përshëndeti autoren dhe të pranishmit për organizimin e kësaj ngjarjeje kulturore, duke premtuar se do të jetë gjithmonë mbështetje e LAPSH-së dhe e veprimtarisë së saj arsimore e kulturore.

Veton Dizdari, mësimdhënës shumëvjeçar dhe anëtar i këshillit kantonal, moderoi në mënyrë të shkëlqyer mbrëmjen, duke ua dhënë fjalën panelistëve, të pranishmëve dhe autores së librit.

Koordinatorja e LAPSH-së për kantonin e Bernës, përshëndeti  të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore të LAPSH-së, njëkohësisht përgëzoi autoren për veprën e saj të parë, me dëshirën që kjo vepër të jetë nxitje për të vazhduar me vepra të tjera.

Pas koordinatores, fjalën e mori redaktori i librit, zoti Gani Bytyçi, i cili vlerësoi lart këtë vepër të veçantë të autores. Ndër të tjera Bytyçi theksoi se: “Gjatë punës me fëmijët autistë, autorja ndjen, përjeton dhe emocionohet bashkë me ta… Ajo ndaj fëmijëve shpreh jo vetëm vëmendje e përkujdesje të skajshme, por shpreh edhe dashuri e shqetësim, dhembje e trishtim”.

Autorja e librit në vazhdim lexoi fragmentin “Dita e parë e punës”, nga libri i saj. Pas autores, këngëtarja e mirënjohur e këngës shkodrane, zonja Gentjana Tafili lexoi recensionin e zonjës Denada Toçe, drejtuese ekzekutive dhe analiste e “Albanien Center ofAutism”, Tiranë.

Pjesa tjetër vazhdoi me bashkëbisedim në mes të autores dhe moderatorit rreth autizmit. Pyetjet ishin: “Kur jeni takuar për herë të parë me autizmin dhe a mund të na thoni diçka më tepër  rreth tij, duke e ditur se rreth kësaj teme flitet shumë pak?”  Atëherë autorja me PowerPoint dha shpjegime në mënyrë profesionale rreth autizmit, si çrregullim i personalitetit të njeriut.

Autorja e librit në vazhdim lexoi fragmentin “Dita e parë e punës”, nga libri i saj. Pas autores, këngëtarja e mirënjohur e këngës shkodrane, zonja Gentjana Tafili lexoi recensionin e zonjës Denada Toçe, drejtuese ekzekutive dhe analiste e “Albanien Center ofAutism”, Tiranë.

Pjesa tjetër vazhdoi me bashkëbisedim në mes të autores dhe moderatorit rreth autizmit. Pyetjet ishin: “Kur jeni takuar për herë të parë me autizmin dhe a mund të na thoni diçka më tepër  rreth tij, duke e ditur se rreth kësaj teme flitet shumë pak? »  Atëherë autorja me PowerPoint dha shpjegime në mënyrë profesionale rreth autizmit, si çrregullim i personalitetit të njeriut.

Pas këtij prezantimi profesional, zonja Tafili lexoi një fragment nga recensioni i shkrimtares Arjola Kondakçiu.

Në vijim, koordinatorja e LAPSH-së, zonja Saime Isufi,  lexoi shkrimin rreth librit “Vështrim rreth librit me tregime “365 ditë autiste”.

Moderatori, zoti Veton Dizdari lexoi më tutje recensionin e zonjës Dhimitra Malo, ish mësuese në gjimnazin “Sami Frashëri”, në Tiranë.

Pas leximit të recensioneve e të pjesëve nga libri, për të pranishmit u hap biseda rreth librit. Rreth tij folën Hamzë Morina, ish mësues shumëvjeçar, duke vlerësuar lart librin dhe guximin e autores për trajtimin e një teme shumë të ndjeshme, siç është autizmi. Përveç tij folën edhe zonja Nexhmije Ibrahimi, mësimdhënëse dhe eksperte interkulturore ; zonja Teuta Kryeziu, kryetare e këshillit të prindërve në Ostermundigen. Duke vlerësuar lart rëndësinë e botimit të këtij libri, ajo theksoi se do të marrë disa nga këto libra dhe do t’ua shpërndajë prindërve shqiptarë me fëmijë autikë. Librin dhe punën e autores e vlerësuan lart edhe  zonjat Esmeralda Hoxha dhe Ida Jashari, mësuese shumëvjeçare, e cila në emër të këshillit kantonal të LAPSH-së , i dhuroi lule autores.

Në përmbyllje, këngëtarja e mirënjohur Gentjana Tafili e bëri edhe më të bukur atmosferën e mbrëmjes së shkëlqyer përuruese,  me dy këngët të bukura shkodrane.

Krejt në fund,  moderatori falënderoi firmën “Isoltec GmBH”, me drejtues Gjergj Duka, për aperon e shtruar për  këtë rast.

Zonja Mirela Duka-Xoxi, në shenjë falënderimi për librin, dedikuar publikut shqipfolës,  pranoi shumë lule nga nxënësit e saj dhe shumë të pranishëm në përurim.

Të pranishmit, gjatë aperos, patëm mundësinë të furnizoheshin me librin, autografin e autores dhe të takoheshin e të bisedonin mes tyre.

Ishte një përurim ndër më të bukurit, i cili do të mbetet në mbamendjen e të pranishmëve.

Koleges sonë i urojmë suksese pa fund në punën e saj krijuese për librat e radhës!