Kombet e Bashkuara kanë bërë një paralajmërim se bota nuk po bën sa duhet për të luftuar ngrohjen globale. Vitin e kaluar, gjatë konferencës së OKB-së në Glasgou, të gjitha vendet ranë dakord të rishikojnë dhe të përforcojnë planet e tyre për klimën. Sidoqoftë, vetëm 24 nga 193 vende përditësuan planet.
Ajo që shqetëson ekspertët është fakti se tri gazrat kryesorë, dioksidi i karbonit, metani dhe oksidi nitrat, prekën nivele rekord në atmosferë vitin e kaluar.
“Të gjitha këto tre gazra kanë thyer rekorde të reja, që do të thotë se nuk kemi parë një përmirësim të atmosferës deri tani. Për shembull, gjatë viteve të fundit pamë bllokada në shumë vende ku emetimet e dioksidit të karbonit kanë rënë, por për shkak të jetëgjatësisë së tyre nuk kemi parë ndonjë përmirësim në atmosferën reale”, thotë Petteri Taalas, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike.