Këshilltarja Federale Simonetta Sommaruga do të mungojë përkohësisht nga puna, transmeton albinfo.ch. Kështu ka bërë të ditur të hënën Departamenti i saj për Mjedis, Transport, Energji dhe Lidhje (UVEK).
Shkak për mungesën është bërë gjendja shëndetësore e bashkëshortit të saj, i cili është në spital.
Sommaruga, Këshilltare Federale (ministre) që nga viti 2010 dhe Presidente Federale në vitin 2015 dhe 2020, është e martuar me shkrimtarin e njohur zviceran, Lukas Hartmann.
Lukas Hartmann është “në duar të sigurta”, thuhet në njoftimin, i cili është i disponueshëm edhe për CH Media. “Përveç kësaj, ne kërkojmë që të respektohet privatësia e këshilltares federale dhe bashkëshortit të saj”, thuhet në njoftim.
62-vjeçarja Simonetta Sommaruga dhe shkrimtari nga Berna, Lukas Hartmann, janë të martuar që nga viti 1996. Ata fillimisht jetuan në periferinë e Bernës, në Köniz; tani prej disa vitesh, jetojnë në qytetin e Bernës.
Lukas Hartmann është pseudonim: emri i vërtetë i bashkëshortit 78-vjeçar të këshilltares federale është Hans-Rudolf Lehmann.