Raportohet se inflacioni në Gjermani në shtator arriti një rekord të ri me 10.0 për qind, ndërsa në gusht ishte 7.9 për qind.
Një inflacion kaq i lartë në këtë vend nuk ka ekzistuar që nga vitet e pasluftës.
Çmimet e energjisë dhe ushqimit shënuan rritje më të madhe. Çmimet e energjisë u rritën ndjeshëm me 43,9% krahasuar me vitin e kaluar si rezultat i luftës në Ukrainë dhe pengesave të furnizimit. Nga ana tjetër, çmimet e ushqimeve u rritën 18,7%.
E gjitha kjo është për shkak të varësisë së gazit që Gjermania kishte ndaj Rusisë, lufta Rusi-Ukrainë, pandemia që la shenja në secilin sektor dhe ulja e vlerës së Euros ndaj monedhave të tjera.
Nga ana tjetër, inflacioni zviceran ra lehtë në shtator, nga 3.4 në 3.3 për qind, por përveç çmimit të benzinës, kostot e tjera nuk kanë rënë, njofton albinfo.ch.
“Inflacioni ra, por indeksi i çmimeve të konsumit nuk ra”, sipas Sergio Rossi, ekonomist dhe profesor në Universitetin e Friburgut.
“Me fjalë të tjera, çmimet vazhdojnë të rriten, jo aq sa më parë”.
Dhe konsumatorët zviceranë nuk duhet të shohin ndonjë lehtësim në frontin e çmimeve së shpejti. “Tendenca rritëse do të vazhdojë, të paktën deri në fund të vitit, apo edhe deri në verën e vitit 2023”, tha ai.