ETH Zurich është ngritur për katër vende në krahasim me një vit më parë dhe tani është në vendin e 11-të të listës së universiteteve në botë, transmeton albinfo.ch. Kjo do të thotë se është ende universiteti më së miri i pozicionuar, nga ata jashtë SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.
Këtë e tregon lista e renditjes e publikuar nga revista “Times Higher Education”.
Universiteti i Bazelit në këtë listë del i 101-ti, ai i Lozanës, në vendin e 135-të. Ndërkaq, Universiteti i Gjenevës nuk hyri më në 200-shen e parë – në renditjen e vitit të kaluar ai kishte qenë në vendin e 197-të.
Në krye të renditjes botërore është – edhe një herë – Universiteti Britanik i Oksfordit. Pasojnë universiteti amerikan i Harvardit dhe ai britanik i Kembrixhit.
Tri universitete aziatike janë tani ndër 20 universitetet më të mira në botë, përcjell albinfo.ch. Këto janë Universiteti i Pekinit dhe Universiteti i Tsinghua, i vendosur gjithashtu në kryeqytetin kinez si dhe Universiteti i Singaporit.