Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi të martën që Zvicra ka shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke u mohuar burrave të ve të njëjtat të drejta si ato që u jepen grave të veja, përcjell albinfo.ch.
Çështja u soll para gjykatës me bazë në Strasburg nga një zviceran, i cili la punën për t’u kujdesur për dy fëmijët e tij të mitur pasi i vdiq gruaja.
Pasi fëmijët mbushën moshën madhore, babai humbi të drejtën për pension si i ve, edhe pse gratë në të njëjtën situatë vazhdojnë t’i marrin këto pagesa.
Pasi Gjykata Federale e Zvicrës e pushoi çështjen, burri e dërgoi atë në GJEDNJ, e cila vendosi se ai “i ishte nënshtruar një trajtimi të pabarabartë që i vendosi burrat e ve në disavantazh në lidhje me të vejat”.
Gjykata gjithashtu konstatoi se legjislacioni zviceran në këtë çështje “kontribuoi në përjetësimin e paragjykimeve dhe stereotipeve”.