Autoritetet spanjolle kanë shpartalluar një bandë shqiptarësh që operonte kryesisht në Spanjë dhe dërgonte emigrantë, kryesisht po shqiptarë, nga vendi iberik drejt Anglisë. Lajmin e konfirmoi NCA, Agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas autoriteteve britanike çdo emigrant paguante deri në 15 mijë euro për të mbërritur në ishull. “Trafikantët vënë në rrezik jetët e njerëzve, prandaj shpartallimi i rrjeteve të tilla kriminale është prioritet për NCA dhe partnerët tanë”, tha Steve Reynolds, zyrtar i agjencisë. “Në këtë rast kemi të bëjmë me një grup që trafikonte emigrantë të fshehur nëpër kamionë që mbërrijnë në Angli me tragete. Rreziku i këtij udhëtimi i merrni me mend vetë”.
Emigrantët besohet se niseshin nga Shqipëria drejt Spanjës, ndërsa trafikantët u siguronin vend për të qëndruar deri në nisjen e udhëtimit për në Angli. Sipas NCA, rreth 50 vetë të mbërritur në ishull besohet se janë trafikuar nga kjo bandë.
Gjatë javës së kaluar janë arrestuar 7 persona, 2 në Madrid dhe 5 në krahinën Baske. Ata raportohet se ishin të gjithë shqiptarë, por duke qenë se janë arrestuar në Spanjë, do të gjykohen aty. Gjatë operacioneve të policisë u sekuestruan telefona, kompjuterë, karta bankare, fatura dhe pasaporta të kombësive të ndryshme.
Shqiptarët përbëjnë numrin më të lartë të emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Angli, sipas shifrave zyrtare. Javën e kaluar, ministrja e brendshme, Suella Braverman, tha gjatë një takimi të Partisë Konservatore: “Shumë prej shqiptarëve pretendojnë se janë pre e skllavërisë moderne, por ato janë gënjeshtra”.