Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim deputetin e Parlamentit Evropian, njëherësh themelues dhe president i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimit nga Qeveria, Kurti shprehu mirënjohje për shtetin dhe popullin austriak, për mbështetjen dhënë Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Ai ritheksoi se Austria është një shtet mik i madh i Kosovës dhe partner i rëndësishëm, duke veçuar programet dhe investimet e qëndrueshme, të cilat mbështesin në vazhdimësi Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Bëhet e ditur se gjatë takimit Kryeministri Kurti vlerësoi lart angazhimin dhe lobimin e eurodeputetit Mandl për Kosovën. Në veçanti theksoi përkushtimin e tij për të çuar përpara agjendën e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.