Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, priti në takim ish-presidenten e Konfederatës së Zvicrës, Micheline Calmy-Rey.
Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz në takim me ish-presidenten zvicerane, Micheline Calmy-Rey, bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, me theks të veçantë në sektorin e ofrimit të shërbimeve për kategorinë e personave të moshuar.
Konfederata e Zvicrës radhitet e dyta për nga investimet në Republikën e Kosovës.
Bashkëpunimi ekonomik me Konfederatën e Zvicrës ka rëndësi për Republikën e Kosovës, ngase në këtë shtet jeton një pjesë e mërgatës së Kosovës.
“Ministrja e njoftoi ish-presidenten Calmy-Rey për procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, aplikimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Në këtë takim ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli dhe nga deputetja në Kuvendin e Kosovës, Jeta Statovci, njëherësh kryetare e Grupit të Miqësisë Kosovë-Zvicër”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.