Rusia po zhvillon një luftë kibernetike kundër Perëndimit dhe Zvicra është në fokus, siç tregojnë dokumentet sekrete nga Shërbimi Federal i Inteligjencës (NDB), të cilat janë në dispozicion të gazetës “SonntagsBlick”, botimi i sotëm.
Por NDB nuk supozon se Rusia mund të përpiqet të ndikojë në zgjedhjet federale të Zvicrës, vitin e ardhshëm, siç ishte përpjekur të ndikonte në zgedhjet e Gjermanisë, në vitin 2021, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, Moska po përpiqet të minojë proceset demokratike në vende të ndryshme me ndihmën e infrastrukturës zvicerane, shkruan gazeta në vazhdim.
Shërbimi Inteligjent shkruan fjalë për fjalë në analizën e tij: “Për më tepër, NDB e konsideron të mundshme që serverët e vendosur në Zvicër të përdoren për sulme kibernetike të ardhshme në zgjedhjet e tjera perëndimore”. NDB vazhdon: kjo minon sovranitetin e Zvicrës.
“Zvicra është një vend tërheqës për spiunazh”
Rusia dëshiron të dobësojë komunitetin perëndimor të shteteve duke ndërhyrë në zgjedhje. Edhe pse ky ndikim nuk e ndryshon rezultatin e zgjedhjeve, “ai delegjitimon pjesërisht vendimmarrjen demokratike dhe në këtë mënyrë edhe modelin perëndimor liberal-demokratik”.
Për shërbimin zviceran është gjithashtu e provuar se Rusia u përpoq të manipulonte rezultatet e zgjedhjeve në Gjermani në vitin 2021 me propagandë mediatike dhe sulme kibernetike në favor të vetin, përcjell albinfo.ch. Sulmuesit janë të lidhur me shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse GRU. NDB nuk përmend qëllimet e ardhshme në raportin e tij.
Deputeti nacional nga Parti e Gjelbër dhe sipërmarrësi i IT-së Gerhard Andrey thotë për “SonntagsBlick”: “Ne e dimë se Zvicra është një vend tërheqës për spiunazhin klasik. Sigurisht, kjo vlen edhe për operacionet në hapësirën dixhitale”.