Automjetet elektrike së shpejti do të prodhohen në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Këtë do ta bëjë “e.GO Mobile”, që është kompani gjermane për prodhimin e automjeteve elektrike me seli në Gjermani dhe është në pronësi të familjes së Lazim Destanit.
Këtë të shtunë kjo kompani hodhi gurthemelin e fabrikës që do të ndërtohet në Zonën e Lirë në Tetovë.
Pronar i “e.GO Mobile” është djali i Lazim Destanit, Nazif Destani, që është edhe themelues dhe pronar i Ecolog International.
Ndërtimi i fabrikës në Tetovë kap investim mbi 150 milionë euro si dhe do të ketë mbi dy mijë të punësuar. Tashmë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut është miratuar dhe nënshkrimi i marrëveshjes mes “e.GO Mobile dhe Qeverisë, raporton Telegrafi, përcjell Albinfo.ch.
“e.GO” është prodhues i automjeteve elektrike inovative dhe zgjidhjeve të prodhimit. Filozofia e këtij prodhuesi është inovacioni me prakticitet dhe qëllim.
“e.GO Mobile” zhvillon platformë unike të automjeteve elektrike me bateri (e.) si dhe sistem prodhimi revolucionar që paraqet risi në prodhimin e automjeteve elektrike. Fillon me zgjedhjen e materialit të qëndrueshëm dhe të ripërdorshëm në produktet e veta deri te energjia e optimizuar dhe gjurmët mjedisore.
Duke përdorur teknologjinë e decentralizuar të prodhimit, mundëson krijimin e vlerës së shtuar ekonomike lokale duke angazhuar komunitetet, duke zhvilluar talent dhe duke siguruar burime në nivel lokal.
Produktet unike dhe shërbimet e “e.GO Mobile” janë krijuar për të ndihmuar qytetet dhe banorët e tyre të ndryshojnë për të mirë mënyrën se si lëvizin.
Kjo fabrikë në fazën e parë të punës do të prodhojë makina elektrike të vogla, ndërsa pastaj do të zgjerojë gamën e llojshmërisë së produkteve, përfshirë edhe autobusë elektrikë. Ndërtimi i fabrikës në Tetovë parashikohet të zgjasë rreth një vit e gjysmë./Albinfo.ch