Nga data 21 korrik është hapur panairi “Gratë në Biznes”, në të cilin po marrin pjesë biznese dhe shoqata të grave ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme të Kosovës.
Hapjen e panairit e ka bërë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Ky panair organizohet çdo vit nga MINT, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Këtë vit, MINT/KIESA ka ofruar kapacitete me 40 shtande, ku bizneset po i promovojnë produktet e tyre.
Përveç promovimit të bizneseve, shoqatave të udhëhequra nga gratë dhe produkteve që këto biznese i ofrojnë në fushat e tyre përkatëse, ky panair ka për qëllim edhe inkurajimin e ndërmarrësisë dhe rrjetëzimin e grave ndërmarrëse, me qëllim të fuqizimit sa më të madh të tyre në shoqëri dhe në biznes.
Panairi “Gratë në Biznes” do të jetë i hapur deri më 23 korrik 2022, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku qytetarët do të mund blejnë produktet e ekspozuara dhe të njihen për së afërmi me cilësinë e këtyre produkteve.