Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një letre i është drejtuar parlamentit dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarisë, i cili sipas Macronit, i hap rrugën integrimit evropian.
“Një mundësi historike po hapet, zgjedhja është e juaja”, u tha qytetarëve maqedonas presidenti francez Emmanuel Macron, në letrën e publikuar të enjten nga ambasada franceze në Shkup.
Sipas kreut të shtetit francez, “propozimi e konsideron Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë si themelin e vlerave evropiane” andaj edhe ka theksuar nevojën për rishikimin e kushtetutës për integrimin e komuniteteve të reja në të.
“Vendi juaj është tashmë një shembull i bashkëjetesës në Evropë”, thekson Macron në letër.