Në javën nga 21 deri më 28 qershor, në të gjithë Zvicrën janë infektuar 33,115 njerëz me koronavirus – të paktën këto janë shifrat nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG), transmeton albinfo.ch. Por, sipas ish-shefes së Task Forcës së koronës, Tanja Stadler, numri aktual i infeksioneve të reja konsiderohet të jetë gjashtë deri në tetë herë më i lartë se sa raportohet, shkruajnë gazetat CH Media.
Kjo do të thotë se numri i infeksioneve nga java e kaluar do të ishte rreth 264,000 dhe jo 33,000 sa është shpallur zyrtarisht. Kështu, numri i rasteve të paraportuara do të ishte dy herë më i lartë se në valën e Coronës në mars, kur varianti BA.2 pati shkaktuar sërish rritje të numrit të infeksioneve.
Por, pyetja e bërë në Zyrën Federale të Shëndetit Publik lidhur me këtë, nuk gjen përgjigje konkrete.
“Ne nuk mund ta përcaktojmë ndonjë numër. Duke qenë se është rritur shkalla e pozitivitetit në teste, supozojmë se është rritur edhe numri i rasteve të paraportuara”, thonë nga zyra për media e BAG.
Por, për ngarkim të madh të sistemit shëndetësor nuk ka rrezik, edhe nëse do të ketë rritje të mëtejshme, thonë në BAG.