Transportuesi zviceran po planifikon të zvogëlojë numrin e fluturimeve veçanërisht në Evropë gjatë muajve të ardhshëm si pasojë e mungesës së stafit. Swiss International Air Lines tha se do të preken rreth 2% e fluturimeve të planifikuara për në destinacionet në Gjermaninë fqinje dhe në Poloni, si dhe në Britani dhe në Los Anxhelos.
Agjencia e lajmeve Keystone-SDA citoi një zëdhënëse të Swiss të thoshte se arsyet ishin “blloqet në qendrat e kontrollit ajror, shërbimet tokësore dhe të aeroportit në Evropë dhe në SWISS”.
Fluturimet për në Vjenë gjatë muajve të verës do të operohen nga Austrian Airlines, një kompani motër e grupit gjerman Lufthansa, transmeton albinfo.ch.
SWISS tha se rreth 10,000 pasagjerë do të goditen drejtpërdrejt nga anulimet, ndërsa rreth 20,000 të tjerëve do t’u ofrohen opsione alternative.
Është hera e dytë në dy muaj që SWISS u detyrua të shpallë anulime fluturimesh për shkak të mungesës së personelit, transmeton tutje albinfo.ch.
Kritikët kanë akuzuar menaxhmentin e SWISS për llogaritjen e gabuar të situatës, pasi fillimisht njoftoi 780 pushime nga puna vitin e kaluar, por më vonë iu desh të rishikonte shifrën në 550.