Qeveria gjermane dhe opozita konservatore kanë rënë dakord për marrëveshjen e lëvrimit të 100 miliardë eurove për modernizimin e ushtrisë përballë kërcënimit rus.
Akordi, që parashikon ndryshimin e rregullave buxhetore në kushtetutën kombëtare, u arrit pas disa javë negociatash të vështira mes partive në pushtet dhe konservatorëve të ish-kancelares Angela Merkel.
Tre ditë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, në muajin shkurt, kancelari Olaf Scholz u zotua për shpenzimin e një buxheti prej 100 miliardë eurosh për të riarmatosur ushtrinë dhe për rinovimin e armatimeve të vjetruara të saj, raporton Euronews, përcjell Albinfo.ch.
Por që prej atëherë kritikët kanë akuzuar Scholz për ndrojtje në mbështetjen e Kievit dhe për dështim në marrjen e hapave konkrete për furnizimin me armë.
Fondi i jashtëzakonshëm do të financohet nga një borxh shtesë. Për këtë është e nevojshme një “shkelje” e rregullave të borxhit në kushtetutën e vendit, që i vendos kufi qeverisë në marrjen e huave.
Për këtë arsye qeverisë i duhej mbështetja e opozitës konservatore, për të siguruar mazhorancën prej dy të tretash në Parlament, e nevojshme për të kaluar amendamentet kushtetuese.