Miliarderët Elon Musk, Jeff Bezos dhe Bill Gates kanë pësuar një humbje kolektive prej 115 miliardë dollarësh gjatë këtij viti, pasi tregjet e aksioneve shënuan rënie.
Sipas Indeksit të Miliarderëve, publikuar nga Bloomberg, pasuria e Musk ka rënë me 46.4 miliardë dollarë, e Bezos me 53.2 miliardë dollarë, ndërsa e Gates me 15.1 miliardë dollarë.
Bernard Arnault, pronari i konglomeratit francez LVMH dhe personi i tretë më i pasur në botë, ka pësuar një rënie prej 44.7 miliardë dollarësh në vlerën e tij që nga janari, në 133 miliardë dollarë.
Pjesa më e madhe e pasurisë së Musk dhe Bezos është e lidhur me aksionet e Teslas dhe Amazonit. Musk ka 15.6 për qind të aksioneve në Tesla me vlerë rreth 122 miliardë dollarë, pasi aksionet në prodhuesin e makinave elektrike ranë pothuajse 37 për qind këtë vit.
Ai gjithashtu ka blerë 9.2 për qind të aksioneve në Twitter, gjë që i bëri investitorët të vënë në dyshim angazhimin e tij ndaj Teslas. Musk shiti aksionet e Tesla me vlerë 8.4 miliardë dollarë për të financuar ofertën e tij të mëvonshme për blerje prej 44 miliardë dollarësh.
Gates ka një portofol më të larmishëm, gjë që e ka ndihmuar atë të përballojë ndryshimet e tregut të aksioneve. Fondacioni Bill dhe Melinda Gates, organizata filantropike që ai ngriti me ish-bashkëshorten e tij, ka investuar kryesisht në Berkshire Hathaway të Warren Buffettit, i cili është rritur me më shumë se 5 për qind këtë vit.