Derisa po zhvillohej ky aksion, aty u dëgjuan edhe armë, transmeton Albinfo.ch.
Përmes një njoftimi në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës në Izvor të veriut ka zbuluar laborator të kultivimit të marihuanës me mbi 10 mijë fije të bimës.
“Përgjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material”, ka bërë të ditur Sveçla. Postimi i plotë:
“Pandalshëm do ta luftojmë krimin në Republikën tonë. Në afërsi të kufirit me Serbinë, në vendin Izvor, në veri të Kosovës, policia zbuloi laboratorin e kultivimit të marihuanës me mbi 10.000 fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg. Përgjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material. Ky është rezultat i vendosmërisë së madhe, duke bërë kështu që çdo ditë e më shumë vendi ynë të çlirohet nga krimi. Ju lumtë Policia dhe Dogana e Kosovës”, ka shkruar ai.