Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, ku ka folur për luftën në Ukrainë, rrezikun e një lufte në Ballkanin Perëndimor, por është pyetur gjithashtu edhe për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, përcjell albinfo.ch.
I pyetur për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, Kurti tha se është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të Kosovës në burg që luftuan për liri.
“Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm dy mijë dëshmorë. Është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të Kosovës në burg që luftuan për liri”, tha Kurti.
Ai ndër të tjera shtoi se teksa kjo po ndodh, Vuçiqi, ministër i dikurshëm i Sllobodan Millosheviqit, bashkëpunon ngushtë me Putinin.
“Është një nga paradokset europiane”, tha Kurti.