Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku i ka kërkuar ndihmën e SHBA-së për t’u anëtarësuar në NATO, përcjell albinfo.ch.
Në letrën, të cilën e ka siguruar media, mes tjerash thuhet se anëtarësimi i Kosovës në NATO në këto rrethana aktuale është e një rëndësie të veçantë dhe urgjente.
Ajo thotë se si presidente e Kosovës, e di që SHBA, politika e jashtme dhe interesat nacionale janë për një Evropë të lirë, në paqe dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor është krucial në këtë drejtim.
Osmani në letrën dërguar presidentit Biden, të siguruar nga media, shkruan se Kosova vazhdimisht po u ekspozohet kërcënimeve nga Rusia, e po ashtu edhe Ballkani Perëndimor.
“Duke pasur parasysh këtë, ne shprehim besimin tonë që SHBA-ja do të përdorë lidershipin dhe ndikimin e saj që aktivisht të ndihmojë dhe të shtyjë para anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat e NATO-s”, thuhet në letër.
Presidentja Osmani i ka kërkuar presidentit Biden një takim për t’i forcuar marrëdhëniet Kosovë-SHBA.