Për rritjen e çmimit të naftës ka reaguar kryeministri Rama në Facebook. Ai shkruan se po bëhet luftë dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe kur Rusia është eksportuesi më i madh i naftës e gazit në Europë.
Rekordi i ri i naftës, çmimi arrin 234 lekë/litër, rritja e tretë brenda pak ditësh
“Po bëhet luftë, luftë prej vërteti, luftë me bomba, me viktima e me plagë të jashtëzakonshme, kjo po ndodh dhe po të ishte i mundur kontrolli i çmimeve nga qeveria, do e kishte ndonjë qeveri në Europë, ku çmimet po rriten edhe më frikshëm se këtu, ndërkohë që këtu nuk po rritet ende energjia elektrike, pikërisht sepse shteti që e shet dhe e blen energjinë, ndryshe nga nafta e mielli e tërë të tjerat që shiten e blihen nga privatët, po e mban me dhëmbë kur i thonë llafit, pikërisht që të lehtësojë sadopak familjarët! Që s’është e drejtë kjo nuk diskutohet, por s’ka si të mos ndodhë në këto kushte alarmi në të gjitha tregjet dhe me sanksionet ndaj Rusisë që është eksportuesi më i madh në Europë i gazit, naftës dhe grurit, por ama, nga ana tjetër, s’ka se si të mos e marrim edhe ne bashkë me tërë të tjerët një pjesë të barrës së luftës së ukrainasve kundër një agresioni ushtarak mbi shtetin e tyre sovran e demokratik, sepse historia na ka mësuar më shumë se një herë që kush mbyll sytë kur i vjen tjetrit lufta në shtëpinë e vet, shumë shpejt e ka luftën në shtëpinë e tij”, shkruan Rama, transmeton Albinfo.ch.