Individët dhe subjektet ruse në listën e zezë të Bashkimit Evropian nuk do të jenë në gjendje të përdorin bankat zvicerane për të anashkaluar sanksionet evropiane kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, tha të premten Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Zvicrës (Finma), njofton albinfo.ch.
Që nga ora 18:00 e së premtes në mbrëmje, ndërmjetësuesve financiarë në Zvicër iu ndalua të hyjnë në marrëdhënie të reja biznesi me individët dhe kompanitë në listën e sanksioneve dhe duhet të raportojnë menjëherë marrëdhëniet ekzistuese të biznesit, thuhet në një deklaratë të Finma.
“Hapat e mëtejshëm për të forcuar këto masa janë duke u përgatitur”, tha Finma.
Më herët, qeveria zvicerane shtoi në listën e saj vëzhguese 363 individë të rinj rusë dhe katër kompani që BE-ja i kishte vendosur në listën e sanksioneve.
Në vitin 2020, qytetarët rusë kishin më pak se 10.5 miliardë franga zvicerane në bankat zvicerane, sipas Finews. /Albinfo.ch