Nga sot, 24 janari 2022, kushdo që hyn në Austri duhet të tregojë certifikatën e vaksinimit, plus një test PCR të 72 orëve të fundit, ose certifikatën me dëshminë e shërimit nga Covid-19 (e vlefshme 180 ditë), plus një test PCR të 72 orëve të fundit, njofton albinfo.ch.
Përjashtohen nga detyrimi për të paraqitur test PCR negativ vetëm ata që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës ose përforcuesen.
Udhëtarët që hyjnë me një provë “2-G”, por pa test PCR, duhet të regjistrohen paraprakisht (të plotësojnë Formularin Pre Travel Clearance) dhe në momentin e mbërritjes në Austri, duhet të izolohen (karantinohen) derisa të paraqesin një test negativ PCR.
Fëmijët nën moshën 12 vjeç nuk kanë nevojë për një provë “2-G” ose test PCR, nëse shoqërohen nga të rritur plotësisht të vaksinuar ose të shëruar.
Testi i antitrupave nuk është më i vlefshëm për të hyrë në Austri.
Nuk nevojitet plotësimi i formularit para udhëtimit (Pre Travel Clearance) kur hyni në Austri dhe mund të tregoni prova të vaksinimit të plotë me 3 doza, ose 2 doza plus PCR. /Albinfo.ch