Në një intervistë për gazetën “Schweiz am Wochenende”, ministri i Shëndetësisë Alain Berset ka folur për perspektivën e heqjes së mundshme të hershme të detyrimit për certifikatën Covid në Zvicër.
“Ditët e certifikatës duket se po mbarojnë”, është shprehur Berset për gazetën në fjalë.
Certifikatat Covid janë në përdorim në Zvicër që nga korriku i vitit 2021. Ato tregojnë se jeni vaksinuar, testuar ose shëruar. Në vjeshtë, para votimit të ligjit për Covid-in, ka pasur diskutime të ashpra lidhur me përdorimin e certifikatave dhe arsyeshmërinë e tyre.
Në thelb, Berset në këtë intervistë është treguar “optimist i kujdesshëm” lidhur me situatën aktuale të pandemisë në vend.
Ai beson se Zvicra është në rrugë të përmirësimit, “por virusi është dëshmuar të jetë i paparashikueshëm disa herë”, ka paralajmëruar ministri i shëndetësisë, Alain Berset.