Turistë italianë e francezë edhe në ditët e para të janarit po shijojnë bregdetin shqiptar, përkatësisht jugun e vendit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka postuar sot disa foto të bëra nga turistët italianë e francezë, të cilët po qëndrojnë në Shqipëri.

“Mirëmëngjes nga Qeparoi, me këto foto të turistëve italianë e francezë që magjinë e peizazhit të bregdetit tonë e shijojnë po aq edhe gjatë dimrit”, tha Kumbaro, transmeton Albinfo.ch.
Qeparoi, një ndër atraksionet verore të Bregut të Jonit, mirëpret turistët me një pamje tërësisht të transformuar.
Shëtitorja e re që kalon në të gjithë vijën bregdetare i ka dhënë Qeparoit tiparet e një fshati tipik turistik mesdhetar, ku janë ruajtur karakteristikat dhe traditat e zonës.
Me financim të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, është bërë sistemimi i infrastrukturës nëntokësore, është ndërtuar pedonalja, trotuaret dhe sistemi i ndriçimit të hapësirave publike.
Bukuritë natyrore dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj, nga vende të ndryshme të botës.
